I riu rrezikon të mbytet në Velipojë, gazetari i shpëton jetën - Arbëria News

I riu rrezikon të mbytet në Velipojë, gazetari i shpëton jetën

Mungesa e rojeve bregdetare dhe shërbimit shëndetësor në kohë për pak u bënë shkaktare të një tjetër viktime në plazhin e Velipojës, që do ta shënonte nisjen e këtij sezoni në formën më të keqe. Një 34 vjeçar, infermier në spitalin rajonal u shpëtua në grykëderdhjen e Vilunit ndërsa po lahej mëngjesin e kësaj të dielë. Rasti është bërë publik nga gazetari Bepin Kolvataj në rrjetin social Facebook ku shkruan:

Për papërgjegjshmërinë e shtetit shqiptar sot do të shënohej viktima e parë në plazhin e Velipojës. Ishim duke u larë në Vilun së bashku me mikun Klodian Kovaci, kur disa metra larg nesh një i ri thërriste për ndihmë. Po mbytej! U afruam me shpejtësi t’i vinim në ndihmë dhe me sforco e nxorrëm në breg ndonëse rrjedha në grykëderdhjen e Vilunit ta vështirëson ndihmën. Pas shumë thirrjesh ndërsa i afroheshim bregut në ndihmë me një komardare erdhën edhe dy të rinj të tjerë.

I riu u shpëtua fatmirësisht Zotit, por rrahjet e zemrës dhe pirja e ujit ia kishte dhënë efektin. Parametrat jetësor nuk i kishte optimal por fati deshi që pranë nesh të kishim dy mjekë të nderuar, doc Fatmirin me bashkëshorten Havan. I matën pulsin dhe i dhanë ndihmë por duhej ambulanca. Njoftuam 127 dhe duhet thënë, nga Shkodra erdhi shumë shpejt, por paradoksalisht nuk kishte një ambulance as Viluni dhe as Rrjolli.

Gjithë Velipoja me një ambulancë të qendrës shëndetësore kur atje pushojnë 120 mijë pushues në verë. Skandal më të madh nuk ka. Pa roje bregdetare, pa kulla vrojtimi dhe pa mjeke e ambulance një zonë e kaq e madhe turistike. Djali 34 vjeçar që rastisi të ishte vetë infermier u dërgua në Shkodër për ndihmë të specializuar. Fatmirësisht shpëtoi por dha edhe një sinjal të fortë që duhet të shkojë në veshet e Bashkisë Shkodër, ministrisë së Turizmit dhe asaj të Shëndetësisë. Bëni detyrën dhe merrni masa sepse jeta e njeriut është në rrezik !!!

Por ky alarm për fat të keq i cili jepet çdo vit vijon të bjerë në vesh të shurdhët. Gjatë gjithë këtyre viteve bizneseve u jepen leje për shfrytëzimin e hapësirave publike por nuk u kërkohen rojet bregdetare, afishimi i numrave të urgjencës dhe shumë masa të tjera. Nga ana tjetër ministritë e linjës dhe bashkia bëjnë syrin qorr dhe veshin shurdh përballë këtij alarmi kombëtar.

/ShkodraNews

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

1 × 2 =