Sfidat e demokracisë nën trysninë e ekonomisë financiare - Arbëria News

Sfidat e demokracisë nën trysninë e ekonomisë financiare

Florian Çullhaj PhD

Alessandro Ferrara në librin e tij “Democratic Horizon; Hyperpluralism and the Renewal of Political Liberalism”, thekson se demokracia varet nga ideja e një etosi demokratik, ku personat janë autorë të ligjeve që ata zbatojnë, duke nënvizuar dhe fuqizuar aspektet procedurale të demokracisë dhe që në të njëjtën kohë është një produkt historik i lidhur me zhvillimin e kontingjencave singulare, ku një ndër to janë dhe zhvillimet teknologjike. Demokracia është vështirë të riprodhohet sipas dëshirës dhe të “imitohet në mënyrë banale”, prandaj, demokracia është një etos, në bazë të së cilës janë miratuar dhe ndjekur procedura të caktuara, jo thjesht forma e këtyre procedurave.

Ferrara, në analizën e tij, përdor një metaforë nga sfera e botanikës, ku demokracia, qua regjimi politik, është si një bimë që, nëse gjendja e saj gjenetike mbetet e njëjtë mund të lulëzojë dhe të rritet në një truall pjellor, ndërsa, në një truall jopjellor është e destinuar të vyshket dhe të thahet. Vëmendja jonë duhet të drejtohet më shumë për cilësitë e tokës sesa për një dobësi të brendshme gjenetike të “lules demokratike”.

Sot, kemi arsye të besojmë se toka – konteksti më i madh shoqëror, historik, kulturor dhe ekonomik ku demokracitë e shekullit të njëzet duhet të funksionojnë, është bërë i papërshtatshëm. John Rawls në librin e tij “Political Liberalism” dhe Frank Michelman profesor në Harvard, në esenë e tij “How Can the People Ever Make the Laws? A Critique of Deliberative Democracy”, paraqesin shtatë gjendje/kushte bashkëkohore të papërshtatshme për lulëzimin e demokracisë. Ferrara këtyre kushteve iu shton dhe pesë të tjera. Për arsye objektive unë do të limitohem të paraqes shkurtimisht një faktor teknologjik ose quasi-teknologjik që ndikon në krijim e një terreni të papërshtatshëm për lulëzimin e një sistemi demokratik. Kusht i cili nuk ekzistonte në terrenin mbi të cilin operonin demokracitë e shekullit të 19 dhe që demokracitë e kohëve të sotshme duhet të përballen

Në mesin e kushteve të reja të papërshtatshme, të cilat favorizojnë zhdemokratizimin e shoqërive demokratike, me siguri mund të përfshijmë: prevalencën e ekonomisë financiare brenda ekonomisë kapitaliste (një faktor që rrit më tej vështirësinë nga ana e qeverisë për të drejtuar ciklin ekonomik). Demokracia gjithmonë ka pasur një lidhje ambivalente me ekonominë kapitaliste, por është fakt i pamohueshëm se demokracia moderne përfaqësuese mund të stabilizohet dhe të lulëzojë vetëm në kombinim me një ekonomi kapitaliste.

Gjatë tri dekadave të fundit, kapitalizmi ka pësuar një transformim të rëndësishëm, që ka ringjallur tiparet e brutalitetit, tipik për fazat e para të kapitalizmit në fillimin e Revolucionit Industrial. Që nga vitet 1980, ekonomia financiare duket se është më e aftë të gjenerojë pasuri sesa prodhim dhe në përgjithësi mjetet e saj prodhuese po bëhen gjithnjë e më “virtuale”, të ndara nga çdo parametër i matshëm dhe material në botën reale.

Një shembull për këtë fenomen është qyteti i Detroitit, qyteti më i madh dhe më i populluar në SHBA i quajtur ndryshe, “Qyteti i Motorëve ose Kryeqyteti Automobilistik i Botës”, i cili, në vitin 2013 paraqiti falimentin. Detroiti u sulmua më së shumti nga Wall Street-ti, jo nga sindikatat. Në përgjithësi, mbizotërimi i kapitalit financiar në ekonomi kalon në favor të kapitalit dhe qirasë dhe në mënyrë të pakujdesshme ul të ardhurat, pasurinë relative, fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht edhe ndikimin politik të klasës së mesme të punësuar.

Pra, ekonomia e teknologjizuar financiare përkthehet në një pushtet absolut global prej fuqisë së kapitalit që zotëron, e cila është ekstraterritoriale dhe e largët nga realiteti. Pushteti i saj absolut qëndron në faktin se, sistemi financiar i përcakton ligjet shtetit dhe si absolut është kapriçioz, ideja se, tregjet do kuptojnë, është e vështirë të realizohet për aq kohë sa nuk mund të bësh një marrëveshje/negociatë me tregjet financiare. Një qeveri që të fitojë zgjedhjet duhet të mbijetojë, por ajo nuk e ka pushtetin që të ndikojë tregjet financiare nëpërmjet një procedure më jep-të-jap. P.sh. të jap një politikë në favor dhe më rrit PPB-në, kjo është e pazbatueshme. Ose politikat shtetërore ju shkojnë për shtat tregjeve financiare ose nuk ju shkojnë dhe ndodhi si në 2008-n që kjo mosmarrëveshje gati rrënoi shtete demokratike. Ky kusht nuk ekzistonte përpara 50 vjetësh dhe demokracitë e kohëve të sotshme duhet të përballen me kontingjencat e zhvillimeve teknologjike.

Si përfundim, politikat demokratike siç i njohim në shoqëritë moderne do të jenë zhvillimi i formave të reja të përshtatjes në një mjedis shoqëror që është kryesisht më i pafavorshëm edhe prej mbizotërimit të ekonomisë financiare. Që demokracia të prosperojë dhe të ofrojë stabilitet duhet të kërkojë vetëreformim për t’iu përshtatur sa më mirë këtij fenomeni të ri. Thënë me fjalët e John Dewey-it, “… në vend që të mendojmë për prirjet dhe zakonet tona si të përshtatura për disa institucione, ne duhet të mësojmë të mendojmë për këto prirje dhe zakone personale si shprehje, projeksione dhe zgjerime të qëndrimeve të zakonshme dominuese. Demokracia është një mënyrë personale e jetës individuale”.

/Gazeta Liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 + one =