SHBA ngre akuza për korrupsion kundër zyrtarëve të FIFA-s - Arbëria News

SHBA ngre akuza për korrupsion kundër zyrtarëve të FIFA-s

Në prani të drejtorit të FBI-së James Comey dhe shefit të hetimeve të Agjencisë amerikane Tatimore, ask IRS, buy Richard Weber, Prokurorja e Përgjithshme Loretta Lynch njoftoi akuzat dhe arrestimet e një grupi individësh në kuadër të një hetimi të gjatë lidhur me mitdhënie dhe korrupsion në botën e futbollit. Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza kundër zyrtarëve të lartë aktualë apo të mëparshëm të organit që qeveris futbollin në shkallë globale.

Prokurorja e Përgjithshme, Loretta Lynch tha se ndër të akuzuarit ka individë që kishin përgjegjësi që nga mbështetja e lojës së futbollit në nivele lokale e deri tek organizimi i aktiviteteve globale:

“Shumë nga individët dhe organizatat për të cilat bëhet fjalë, kishin mbi vete besimin për ta mbajtur futbollin të hapur për të gjithë. Ata kishin përgjegjësinë të rëndësishme në çdo nivel: për projekte që nga ndërtimi i fushave të futbollit për të luajtur fëmijët në komunitete, e deri tek organizimi i kampionatit botëror”.

Atyre u ishte besuar detyra për të zbatuar rregullat që garantojnë një futboll të ndershëm dhe ndeshje me integritet. Por ata e korruptuan biznesin e futbollit për interesa vetjake dhe përfitime monetare personale, u shpreh zonja Lynch.

Prokurorja e Përgjithshme tha se ka kërkuar ekstradimin nga Zvicra të nëntë individëve të arrestuar nga autoritetet zvicerane në kuadër të hetimeve. Departamenti amerikan i Drejtësisë, shtoi ajo, është i vendosur t’u japë fund këtyre praktika dhe të zhdukë korrupsionin në futboll. Ndër 14 individët ndaj të cilëve u shpallën sot akuza ka zyrtarë të lartë të FIFA-s, drejtues të organeve rajonale nën rrjetin e FIFA-s dhe drejtues të kompanive të marketingut, të cilët akuzohen se kanë paguar miliona dollarë për të siguruar privilegje marketingu gjatë aktivitetev sportive të organizuara nga FIFA.

Prokurorja e përgjithshme përmendi tre nga të akuzuarit, të cilët kanë rënë dakord të kthejnë 150 milionë dollarë, të siguruara përmes afereve korruptive.  Aktpadia, sipas zonjës Lynch, mbulon një aktivitet të paligjshëm që diktonte cilët kanale do të transmetonin ndeshjet, ku do të zhvilloheshin ndeshjet dhe kush do ta drejtonte organizatën.

Ndërkohë procesi hetimor nga autoritetet zvicerane e akuzon FIFA-n për parregullsi në zgjedhjen e vendeve organizatore për Kupat e 2018 dhe 2022. Në Zyrih janë arrestuar një numër zyrtarësh të organizatës. Megjithë akuzat, drejtori i komunikimit për FIFA-n thotë se kupat e 2018 dhe 2022 do të zhvillohen në Rusi dhe Katar, në përputhje me planet ekzistuese.

Në një konferencë për shtyp në Gjenevë, Drejtori i FIFA-s për Komunikimin Walter De Gregorio tha se gjithsesi ky është një zhvillim pozitiv për organizatën:

“Kjo është një gjë e mirë për FIFA-n. Nuk është mirë për imazhin e organizatës, por do të shërbejë pozitivisht për procesin e reformave”.

Presidenti i FIFA-s Sepp Blatter nuk është ndër zyrtarët e akuzuar. Ai ka në plan të paraqesë të premten kandidaturën për një mandat të ri në post.

Njoftimi është pritur me shok. Presidenti i ligës franceze të futbollit Frederic Thiriez tha se arrestimet ishin një goditje ndaj imazhit të ligës.

“Sot në mëngjes u shokova thellësisht, si të gjithë ju, si e gjithë bota. Mbi të gjitha ndjej një keqardhje të madhe për imazhin që i jep ky skandal futbollit. Mos harroni se lufta kundër korrupsionit në Francë është një ndër synimet parësore për mua, si në rastin e akuzave për manipulimin e rezultatit të ndeshjeve në Nim. Nëse vërtetohen akuzat për dhurata dhe korrupsion, do të ishte një situatë shumë serioze dhe dëshiroj që policia dhe drejtësia në Zvicër ta çojnë deri në fund procesin”.

Zoti De Gregorio tha se nuk do të ketë ndryshime në kampionatet e planifikuara, pavarësisht nga akuzat e ngritura.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five + nineteen =