Shqiptarët më arsimdashësit në Europë, por vuajnë mungesën e vendeve të punës - Arbëria News

Shqiptarët më arsimdashësit në Europë, por vuajnë mungesën e vendeve të punës

Që shqiptarët janë arsimdashës dhe shqetësimi më i madh i prindërve që para viteve ’90 ishte të bënin me shkollë të lartë fëmijët, këtë e tregojnë dhe statistikat. Në renditjen ndërkombëtare, “grupmoshat përfshirë në arsim”, Shqipëria e ka treguesin për arsimin e lartë 60%, më mirë se Rumania, Franca, Gjermania e Zvicra dhe më ulët se vendet skandinave si Norvegjia, Suedia etj.

Por, kjo dëshirë për t’u arsimuar duket se na kushton më shumë se në çdo vend tjetër në Europë, në raport me shpenzimet totale të konsumit. Të dhënat e fundit të INSTAT, për matjen e nivelit të jetesës treguan se pesha e shpenzimeve për arsim arriti në një nivel rekord, prej 4.4% të totalit të konsumit, nga 1.7% që ishte një dekadë më parë.

Të dhënat krahasuese nga anketat e buxhetit të familjeve të vendeve të rajonit dhe Eurostat, të përpunuara nga Monitor, tregojnë se familjet shqiptare kanë peshën më të lartë të shpenzimeve për arsim nga vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Europian.

Mesatarja e Bashkimit Europian është 2.1%, ndërsa një familjeje në rajon i kushton shumë më pak (në termin relativ ndaj shpenzimeve totale) që të shkollojë fëmijën. Serbia, Maqedonia, Bosnjë Hercegovina e kanë këtë raport midis 0.6-0.7%, ndërsa në Kroaci arrin në 1.1%. Instituti i Statistikave të Kosovës raporton në anketën e fundit të buxhetit të familjeve për vitin 2016, se pesha e shpenzimeve për arsim në totalin e buxhetit është zero.

Sipas të dhënave të INSTAT, në shkollor 2016/2017, numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim në Shqipëri ishte 596 mijë, nga të cilët 24% ndiqnin arsimin e lartë.

Në arsimin e lartë, numri i studentëve gjithsej ishte 146 mijë në vitin 2016, sipas INSTAT, nga të cilët 17% (rreth 25 mijë) janë të regjistruar në universitetet jo publike. Tarifat vjetore në pjesën më të madhe janë unifikuar në bazë të fakulteteve dhe variojnë nga 25 mijë lekë, që është pagesa minimale, deri në 40 mijë lekë maksimalja. Për nivelin e studimeve master, viti akademik për gradën e Masterit Profesional është 72 mijë lekë (studimet e plota 144 mijë), ndërsa për Masterin Shkencor është 105 mijë lekë ( dy vite 210 mijë lekë).

Në Universitetet private, viti shkollor kushton duke filluar nga 1500 euro, në 3500 euro. Gjithsej, sipas INSTAT në vitin 2016 ishin 22 universitete private që kishin studentë të regjistruar.

Shqipëria, ndonëse ka shpenzime të larta për arsimin, ka një handikap të madh me tregun e punës, ku shumë të rinj e kanë të vështirë të gjejnë punë në profesionin e tyre. Po sipas INSTAT, rezulton se pjesa më e madhe e të rinjtë preferojnë “Shkencat sociale, biznes dhe ligji”, ku në vitin 2016 ishin të regjistruar 53 mijë studentë, ose 37% e totalit. Në vend të dytë është shëndeti dhe mirëqenia (shëndetësia), me 24.4 mijë studentë, ose 15% të totalit. Në shkencat inxhinierike ka 18 mijë studentë, ose 12% të totalit.

Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë shkollën, sot punojnë në sektorin e call center, apo së fundmi në kompanitë që ofrojnë shërbime forex (ku po diversifikohet sektori call center që po vuan presionin e qeverisë italiane), ku vlerësohet se janë të punësuar mbi 25 mijë të rinj, ku aftësia kryesore e kërkuar është njohja e gjuhëve të huaja, duke bërë që shpenzimet e tyre dhe të prindërve të arsimuar fëmijët të mos kthehen asnjëherë mbrapsht.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 2 =