Sigurimi i Shtetit dhe legjendat urbane - Arbëria News

Sigurimi i Shtetit dhe legjendat urbane

PËLLUMB NAKO

Përhapja e legjendave urbane ka qenë një mjet efikas i Sigurimit të Shtetit në kohën e diktaturës. Një drejtori e tij kishte pikërisht këtë mision. Të tilla, por me metoda më të shumta, me të njëjtat burime, autorë dhe bashkautorë, në institucione zyrtare dhe jozyrtare, ato vazhdojnë të përdoren edhe sot. Madje, shumë më gjerë. Për të mundësuar çorientimin e opinionit publik, devijimin e vëmendjes së tij nga problemet e përditshme të qeverisjes nga problemet madhore, realisht shqetësuese. Duke krijuar ankth dhe mister se diçka fshihet. Dikush po komploton kundër sigurisë kombëtare. Për më tepër, në vendin tonë raportet ndërmjet shtresave modeste sociale dhe kastave qeverisëse kanë qenë thuajse gjithmonë raporte mosbesimi ose besimi të kufizuar për shkak se deri më sot nuk është hasur ndonjëherë modeli real i bashkëqeverisjes. Është sundimi ai që ka mbizotëruar. Në kontekste të tilla, automatikisht publiku i të gjitha shtresave sociale bëhet mjaft mosbesues ndaj deklarimeve zyrtare. Sidomos në momente si ato që po kalon aktualisht vendi ynë kur qeverisja kontestohet jo pak nga popullata, nga shumë figura publike dhe radikalisht nga një pjesë e politikës. Për të kompensuar zbehjen e zërit qeveritar në lojë futen legjendat urbane në formë gojëdhënash apo historish shumë “të besueshme”, por të transmetuara vesh më vesh e më pas në fb. Në komentet e shkrimeve të kundërshtarëve politikë. Përdoren arkiva, dosje, vendore dhe të huaja të përcjella publikut nga oratorë të përhershëm mediatikë, të ngjashëm tmerrësisht me njëri-tjetrin e po ashtu nga gazeta të tëra. Nuk mund të mungojnë edhe politikanët si zëdhënësit më të zellshëm.

Në tërësinë e tyre, legjendat e sotme urbane kanë thuajse të njëjtin profil si ato të Sigurimit. Dhe nuk ka sesi të jetë ndryshe. Nëse ish-Sigurimi i Shtetit nuk ekziston si institucion, ish-sigurimsat janë të shpërndarë në shumë syresh. Ata në pension mbeten në shumicë mbështetës të ngjyrimit politik të qeverisë aktuale dhe gjithmonë në kontakt me ishkolegët ende në detyrë. Të gjithë mjaft aktivë. Në legjendat e tyre dominojnë armiq të jashtëm, apo më saktë agjentura të huaja, të cilat në bashkëpunim me armiq të brendshëm, mundohen të minojnë ecjen përpara të Shqipërisë. Nëse dikur synimi armiqësor ishte të minonin ecjen drejt socializmit fitimtar, sot objektivi i tyre është pengimi i Shqipërisë për të hyrë në Bashkimin Europian. Mesa duket, vetëm objektivi politik ka ndryshuar. Armiqtë janë po ata si dikur. Shembujt janë pa mbarim. Ja se ç’thuhet disa ditë më parë në një gazetë të vendit lidhur me manifestimet e opozitës:

“Natyrisht që ne jemi në fazën e kurorëzimit të pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe në këtë moment ka dashakeqës të vendit tonë, të cilët duan që Shqipëria të mos arrijë dot në destinacion. Kundërshtarë të vjetër dhe të rinj bashkërendojnë veprimet për të arritur qëllimet e tyre. Por dështimi është i garantuar sepse nuk ka kthim mbrapa përtej çdo tentative”.

Dhe “armiku” më i madh mbetet ish-lideri i opozitës së sotme. Mesa duket, i ndodhur rastësisht në krye të vendit kur Shqipëria hyri në NATO dhe siguroi liberalizimin e vizave.

Vetëm disa ditë më parë, për të u deklarua se “… Berisha u fut në politikë nga UDB-ja dhe shërbimi francez. Kam dosjen që e rekrutoi në vitin 1967…” Kurse disa vite më parë një avokat bilbil i kudondodhur me të njëjtin profil si parlamentari sipërfolës ka shkruar: “…Ja si u rekrutua Sali Berisha nga UDBja në vitin 1970. Dosja e plotë ndodhet në arkivat ruse dhe serbe”. Anomalitë flagrante në dy deklarimet tregojnë se dy ustallarët nuk janë rakorduar mirë me njëri-tjetrin për “ta qepur” dosjen ashtu siç duhet në përhapjen e legjendës.

Ndërkohë, koha ka bërë të sajën dhe gjërat kanë lëvizur para. Ndryshe nga ç’thoshte Sigurimi vite më parë, aktualisht problemet janë “përkeqësuar”. Sot nuk flitet vetëm për armiq, por edhe për forca politike të frymëzuara dhe manipuluara nga armiqtë e jashtëm. Gjatë gjithë këtyre dekadave, që nga hapat e para, nga koha e hipjes në pushtet dhe sot në opozitë, lidershipi demokrat sulmohet rregullisht si i molepsur me armiq të jashtëm. E gjitha kjo është e natyrshme pasi qeverisja e sotme reflekton të plotë trashëgiminë e sigurimit.

E përkthyer nga aksionet politikë opozitare, kjo do të thotë se çdo qëndrim i vendosur, radikal i saj etiketohet si e frymëzuar nga armiqtë, si sabotimi i vendit me orientim prej tyre. Ndaj dhe natyrshëm çadra e organizuar nga Partia Demokratike në vitin 2007 u legjendua si e dirigjuar direkt nga Rusia. Dhe fakti është cituar me siguri absolute nga “burime të mirinformuara”.

Por ka edhe të tjera. Nëse do t’i referoheshim gjithmonë legjendave plot mister të spiunazhit, do të rezultonte se Rusia nuk e sulmon vetëm direkt marshimin stoik qeveritar drejt Bashkimit Europian nëpërmjet Partisë Demokratike, por edhe indirekt, nëpërmjet të paguarve prej saj. Njëlloj si në kohën e radiolojës.

Sa më shumë afrohet koha e hapjes ose jo të negociatave, aq më të shumtë bëhen armiqtë. Këtë radhë të huaj. Miq të armiqve të Shqipërisë. Parlamentari gjerman Gunther Krishbaum kishte ca kohë që kishte bërë disa deklarime të ashpra kundër kryeqeveritarit tonë. Por nuk vonoi dhe për atë doli “e vërteta.” Edhe për atë, në media, shpërthyen të publikuara “informacione konfidenciale”. Informacione këto që vetëm ustallarët tanë dinë të sajojnë. Që në titull, me germa goxha të mëdha, gazeta “Shqiptarja.com”, më 13 mars 2019, njofton shqiptarët brenda dhe jashtë territoreve etnike: “Thellohet skandali. I paguari i Bashës për të bllokuar negociatat është gjithashtu në borderonë e Putinit”. Bëhet fjalë për Krishbaum. Zbulime të tilla tronditëse vetëm një organ në lartësinë e Sigurimit mund t’i bëjë. Dhe shkrimi nuk e sqaron nëse Merkeli është apo jo në dijeni të këtij fakti dhe gjithashtu nuk sqaron nëse kryqeveritari ynë, fort i lidhur me Kancelaren e hekurt, mori ndonjë charter për ta njoftuar personalisht për këtë gjëmë që e kishte gjetur.

Asgjë e re. Gjithçka e parashikuar nga Këshilli i Europës që në vitin 1995 kur deklaroi se, nëse vendet ish-komuniste do të dështojnë në çrrënjosjen e tij, ato do të kthehen në oligarki financiare të lidhura me krimin e organizuar.”

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 2 =