Skaner dashnorëve të trazirave dhe një pyetje për Alibeajn - Arbëria News

Skaner dashnorëve të trazirave dhe një pyetje për Alibeajn

Nga Altin Ketro

Në një nga shkrimet e mia pak javë pas ngjarjes së 21 janarit 2011, theksoja si argument bazë se për mënyrën se si ish-kryeministri Berisha i justifikoi vrasjet, me “sulmin” ndaj Kryeministrisë, kjo, mendoja atëherë, do të shërbente si një precedent që në të ardhmen, kur Partia Demokratike do të dilte në opozitë, nuk mund të kishte shans ta bënte këtë gjë.

Duke ditur historikun e PD-së, veçanërisht mënyrën se si ajo funksiononte në opozitë nën drejtimin e Berishës sa herë donte të krijonte situata të ndezura, kjo mund të dukej një naivitet. Por, mënyra e vendosur se si Berisha e mbronte mos prekjen e murit rrethues të kryeministrisë, më krijoi një bindje të pa ekuivok që çfarëdo që të ndodhte, kurrsesi PD-ja nuk do mundte më që të sulmonte godinat qeveritare.

Ngjarjet e javës së fundit na treguan se Berisha është një ujk që qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Ai, i vetëdijshëm se kur të plas cipa njëherë, të del turpi për çdo lloj maskarallëku tjetër, s’e ka për hiçgjë që të lëpijë sot atë që dje e ka pështyrë.

Rrjetet sociale janë mbushur këto ditë me kontradiktat e mëdha në artikulimet publike të Berishës, dje si kryeministër e sot si një strumbullar i punëve të pista të politikës, ku për të njëjtën çështje jep versione të ndryshme në varësi të pozicionit ku ndodhet. Dje të vriste vetëm për disa ristela pankartash e gurë sporadikë që gjithsesi mund të ndodhin në një demonstratë të parë, kurse sot nxit në mënyrë të përsëritur në çdo protestë përdorimin e mjeteve të rrezikshme, kapsolla dhe bomba molotov, të cilat u shpërthejnë policëve tek këmbët.

Partisë Demokratike nuk i bën më përshtypje se mënyra e dhunshme se si ajo po i kanalizon me ndërgjegje të plotë protestat e saj, po dënohet nga opinioni i shëndoshë shqiptar dhe së fundmi, edhe nga përfaqësitë më të mëdha diplomatike. Pas demonstratës së 21 janarit 2011, Partia Socialiste, ndonëse kishte 4 të vrarë në radhët e përkrahësve të saj, ajo, edhe me sugjerim ndërkombëtar, zhvilloi pas një jave vetëm një demonstrim të heshtur në formë homazhi në bulevard në nder të viktimave. Askush nuk nxori një fjalë nga goja, asnjë pipëtimë nga ajo masë mijëra njerëzish.

Jo vetëm kaq, por lideri opozitar, Rama, pranoi të futej e përballej në zgjedhje vendore të pas 4 muajve me ish-ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, në detyrë më 21 janar, si dhe me kryeministrin Berisha në qeverisje. Megjithëse të dy kishin bërë çmos të manipulonin dhe prishnin provat dhe të tjetërsonin ngjarjen, lideri opozitar, Rama, u përball me të dy.

Dhe, meqë jemi në maj, ekzaktësisht 8 vjet më pas, sërish vlen të evidentohet fakti se edhe nga përballja në zgjedhjet vendore, Edi Rama u soll si një lider i përgjegjshëm opozitar, ku nuk vuri në plan të parë interesat personale kur ia vodhën drejtimin e bashkisë Tiranë. Dhe kishte gjithë mundësitë të bënte, sepse vjedhja ishte kaq flagrante, saqë çuditi gjithkënd që e përjetoi atë ditë. Çuditi edhe ata mbështetës të PD-së, brenda dhe jashtë palestrës së shkollës “Vasil Shanto” tek Njësia 5, kur duke mos kuptuar gjë, sapo dëgjuan diferencën plus 10 vota, u hodhën përpjetë nga gëzimi dhe filluan xhiron nëpër Tiranë. Kur u ftilluan se bëhej fjalë që në avantazh kishte kaluar Rama, nisën operacionin e turpshëm për të mbledhur vota andej- këndej për të përmbysur rezultatin. Rezultat që e ndryshuan me Ristanët e tyre në KQZ e Sashenkat në Kolegj, por që Edi Rama nuk e përdori kurrë si argument për të nxitur mbështetësit e vetë për trazira politike.

I them këto se më revolton fakti se sa paturpësisht sillet kjo opozitë sot. Po heroizohet një sekretar i tyre me emrin Dollap, që më kujton një tjetër Dollap, zjarrvënës i kryeministrisë më 14 shtator 1998. Katër shkopinj gome ndaj një turravrapsi i cili pak orë më parë godiste policët tek kryeministria, po i bëjnë legjendë, aq sa ato katër plumba mbi Ziverin, Aleksin, Hekuranin dhe Faiku, po na duken si prej plasteline.

Ato katër shkopinj gome dhanë mundësinë të kuptojmë se vetëm për një rast të izoluar, pas skenave të dhunës që përdorën vetë, e bënë qimen tra; po të kishte viktima të pafajshme si ata të 21 janarit, ç’do të ndodhte?! Prandaj, mos u çudisni kur në vijimësi kokat e sëmura në PD do të kërkojnë me ngulm heronj të vdekur. Çnuk do sajojnë apo provokojnë që të kenë dëshmorët e tyre, për t’i pasur si kauz për të nxitur edhe më shumë dhunë e trazira. Janë të etur për gjak, që nga ai që rri në hije, strumbullari, vijon me juristin holandez, e pastaj me gjithë ata të rinj në kupolë që u panë si shpresë për të ndryshuar mentalitet nga garda e vjetër, por që janë thjesht disa leva që nxisin dhunë me lehtësinë më të madhe, gjë që tregon se janë të papjekur politikisht dhe as nuk kanë memorie se çfarë dëmi i sjellin PD-së në imazh nga dhuna që e imponojnë.

Shikoni se sa intrigantë e të rrezikshëm janë. Del Alibeaj dhe deklaron se zotëron filmime që ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka pas qenë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë (që varet nga ai) dhe është larguar prej saj fshehurazi. Ai hamendëson se ministri Lleshaj paska urdhëruar përdorimin e dhunës ndaj…. opozitës!!! I vetmi i “dhunuar” është Dollapi, që dëmin fizik e pësoi kur ra mbi asfalt teksa vraponte si i marrë.

Është shqetësuese kjo metodë survejimi e PD-së duke ndjekur këmba- këmbës qeveritarët, edhe kur shkojnë në institucionet e varësisë. Kjo tregon se PD-ja po kthehet në një agjenci spiunazhi e survejimi, aq sa të frikëson me këtë maninë për të përgjuar çdokënd e thurur skenarë imagjinarë. Berisha i ka pas jetike informacionet rreth kundërshtarëve politikë, brenda e jashtë PD-së, kur për këtë gjë përdorte SHIK-un e Gazidedes. Po Luli sot, cilët përdor për të ndjekur ministrat e zyrtarët nga pas?!

Po edhe nëse zoti Lleshaj do ketë qenë tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e çfarë pastaj?! Më 21 janar 2011, kryepolici, ministri i Brendshëm dhe kryeministri ishin në godinën e Kryeministrisë nga ku ndodhën edhe vrasjet. Një pyetje kam për Alibeajn e Lulit: Meqë zoti Lleshaj, tek godina e Policisë së Shtetit, paska urdhëruar dhunën ndaj Dollapit, po plumbat vrastarë ndaj Ziverit, Aleksit, Hekuranit dhe Faikut, cilët prej tri “B”-ve i urdhëruan, Burgaj, Basha apo Berisha?

(TemA)

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

18 − 1 =