Skulpturë lundruese në Hong Kong - Arbëria News

Skulpturë lundruese në Hong Kong

Në Hong Kong, në Victoria Harbour, artisti amerikan Kaws, ka realizuar në ujrat e bregdetit instalacionin Companion, një skulpturë lundruese 37 m e gjatë dhe me peshë 40 ton. Edhe pse karakteri enigmatik është përsëritur në shumë nga veprat e artistit, nuk është e qartë se çfarë përfaqëson ai.

Bregdeti i veriut të ishullit të Hong Kongut, i njohur ndryshe si “Victoria Harbour”, i mbushur me njerëz, anije pasagjerësh dhe tragete, prej disa ditësh mirëpret një skulpturë të madhe të artistit amerikan Kaws. Personazhi i veçantë, që lundron butësisht në ujë me krahët e shtrira përballë qiellit, ka gjatësi 37 metra dhe peshon më shumë se 40 ton, falë mbi të gjitha skeletit prej çeliku.

Në shikim të parë realizimi i skulpturës duket një punë e thjeshtë. Pavarësisht se ujrat në “Victoria Harbour” favorizojnë kalimin e anijeve të mëdha komerciale që i japin prosperitet vendit, ato janë të cekët  për peshën e instalacionit. Në mënyrë që Companion të mund të ishte i lundrueshëm dhe jo thjesht të hidhej në ujë e të fundosej, u deshën orë të gjata projektimi e zbatimi, për të mos përmendur vështirësitë e transportit për ta sjellë deri këtu.

Companion është një nga personazhet më të famshëm të krijuar nga Kaws dhe ka karakteristika të ngjashme me personazhin tjetër mjaftë të njohur Mickey Mouse. Edhe pse karakteri enigmatik është përsëritur në shumë nga veprat e artistit, nuk është e qartë se çfarë përfaqëson ai. Të shumtët që e kanë vizituar kanë shprehur reagime të ndryshme për skulpturën lundruese, Në fund të fundit, kjo është bukuria e artit publik: të shijosh të bukurën duke patur mbi të ide të ndryshme.

Brian Donnelly me emrin e artit Kaws, është i njohur për përdorimin e përsëritur të një karakteri figurativ dhe motivesh të ndryshme. Skulpturat e tij variojnë nga madhësia, prej disa centimetrash e deri në dhjetra metra të gjata, krijuar nga materiale të ndryshme që përfshijnë tekstil me fije qelqi, alumin, dru, bronz dhe çelik.

/Përgatiti Ilir Çuçi

m.v./r.k

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × one =