Tezat Historike/ 'Shteti i Arbërit', shteti i parë i shqiptarëve - Arbëria News

Tezat Historike/ ‘Shteti i Arbërit’, shteti i parë i shqiptarëve

Pas një sërë punimesh serioze në fushën e studimeve monografike të personaliteteve historike të Mirditës, dhe jo vetëm, autori Nikollë Loka vjen me sprovën më të rëndësishme studimore të tij, punimin me titull “Principata e Arbërit”. Studiuesit e fushës së historisë, me përjashtime të rralla të emrave më të spikatur, kanë qëndruar larg temës dhe kohës së zanafillës së shtetit të shqiptarëve. Ndoshta kjo distancë është diktuar prej kompleksitetit të hulumtimit dhe gjurmimit shkencor të asaj periudhe, kushtëzuar nga mungesa e burimeve të mjatueshme dokumentare.

Ka qenë detyrim i brendshëm i autorit si njohës e studiues i trevës, që ta ndriçojë periudhën e zanafillës shtetformuese të shqiptarëve, edhe për disa arsye të cilat do t’i përmendim në vijim, por që në krye të tyre qëndron minorizimi me pa të drejtë i njërës prej dy qendrave të shtetit te Arbnit, respektivisht Trafandinës, ose ndryshe, Ndërfanës, e cila me pa të drejtë, pothuajse prej të gjithë lëvrueseve është klasifikuar si një fshat gati i humbur. Autori ka provuar shkencërisht, duke mos lënë as më të voglën mëdyshje se Ndërfana (brenda të cilës përfshihet Gëziqi i sotëm), nuk ka qenë aspak fshat, e aq me tepër i humbur, por një qendër e e rëndësishme urbane, me manastirin benediktin dhe mbi pesëmbedhjetë kisha të dokumentuara, të cilat, absolutisht, ishin qendra të rëndësishme kulture, reflektimi i së cilës kurrësesi nuk mbetej brenda mureve të tyre. Për vërtetimin dhe dokumentimin e këtij fakti shumë të rëndësishëm historik autori është udhëhequr prej parimeve bazë të historizmit duke aplikuar metodologjinë kërkimore e gjurmuese shkencore, si dhe analizën e fakteve dhe të të dhënave të njohura prej historianëve shqiptarë dhe të huaj, por që për motive të panjohura, për të mos thënë dashakeqe, kanë preferuar që kryeqendrën e Shtetit të Arbnit për mbi tre vjet ta spostojnë në një fshat të “humbur”. Qëndrimi i lëvrueseve të asaj periudhe kushdo qofshin në lidhje me këtë aspekt është i papranueshëm.

Autori ka ardhur me të drejtë në përfundimin se, përpara Principatës së Arbnit kemi pasur Ipeshkëvinë e Arbënit, si faktor me rëndësi në forcimin e prirjeve autonomiste të arbënve. Me të drejtë ai është mbështetur në perfundimet e studiueseve si Aleksandër Meksi, i cili ka provuar shkencërisht se “Peshkopata e Arbnit në gjysmën e dytë te shek. XII kishte shtrirje vetëm në Mirditën e sotme, në shpinë të Lezhës, në veri të Krujës dhe Stefanikës. Ndërsa Kasem Biçoku e shtrinë këtë Peshkopatë në hapësirat e Mirditës, Kurbinit dhe Ishmit, për të vazhduar me të tjerë që japin kufizimet e saj, Shkumbin – Drin. Pavarësisht se Ipeshkëvia e Arbnit i afrohet shumë Durrësit, Schmitt e përjashton Durrësin si i përzier në çeshtje besimi, duke e fokusuar Peshkopatën si dhe Pricipatën në hapësirat e kuvendeve benediktine të Shën Marisë së Trafandinës, Shën Shelbumit të Arbënisë, Shën Aleksandrit të Oroshit dhe Shën Premtes së Kurbinit. Pra, këto qendra të përmendura, nuk ishin “fshat”, por vatra qytetërimi, madje qytetërimi perëndimor. Manastiret e famëshme benediktine ishin të vendosura përgjatë rrugës më të rëndësishme që përshkonte trevat shqiptare, pas asaj perandorake të Egnatias. Nuk është aspak e rastit që pak shekuj më vonë, pikërisht në këto treva e jo dikund tjetër, kemi fillesat e shkollave shqipe, natyrisht të investuara nga Vatikani nëpërmjet Propagandës Fide etj., mbase edhe si shpërblim për qëndresën heroike të kësaj popullsie në përcaktimin e përjetshëm të saj në fenë katolike.

Rrugët kanë qenë dhe mbeten koridore të tregëtisë, fuqisë, ushtrive, lëvizjeve të popullsive, përhapjes së feve, ideve dhe qytetërimeve. Kësisoj ato ishin arteriet më vitale të këtyre hapësirave. Siç dihet, buzë rrugëve më të rëndësishme të kohës, në trevat e Arbnit, kanë qenë shumë të përhapur manastiret benediktine si pikat më të avancuara të katolicizmit në hapësirat bizantine. Benediktinët mbërritën shumë herët në trevat ilire në kuadrin e përpjekjeve për të ruajtur arealin kulturor latin dhe liturgjinë latine të kishës unike romane. Edhe pas ndarjes së kishave në vitin 1054 dhe sidomos në periudhën e sundimit të perandorit Manuel Komnenit, për shkak të miqësisë së tij personale me Papën Aleksandri i Tretë, veprimtaria e këtyre manastireve u zhvillua normalisht, duke u avancuar më tej, duke ruajtur tharmin e katolicizmit dhe duke krijuar kushtet për krijimin e Ipeshkëvisë së Arbnit, të parës ipeshkëvi katolike në brendësi të territorit shqiptar. Duke qenë se në këto treva feja ortodokse ishte sunduese, ajo u bë pengesë për krijimin e formacioneve shtetërore autonome ose të pavarura nga shteti bizantin, përveç të tjerave për shkak të teokracisë. Ndërsa Kisha Romane, duke qenë cilësisht e pavarur dhe me mision universal, ishte e gatshme për të bashkëpunuar me faktorë politikë lokalë, duke u njohur atyre më shumë të drejta në shkëmbim të pranimit të katolicizmit. Vlen të theksohet se Papati në atë periudhë ishte në kristalizim të idesë së ekspansionit drejt Lindjes. Në projektet e tij u përfshinë personalitetet më të fuqishëm të asaj kohe, që ishin konvertuar në katolikë, përfshirë edhe Stefan Nemajën, i cili e kreu këtë manovër për t’i shkëputur Papës njohjen e titullit “mbret”, ndërkohë që Gjergji i Gentës, nga ana tjetër, e kishte kryer tanimë këtë formalitet.

Në mënyrë të qartë autori ka sjellë të provuar faktin se lindja e Principatës së Arbnit ka ardhur si rezultat i bashkëveprimit të njëkohshëm të disa faktorëve, si të krizës që po kalonte Perandoria Bizantine, pranisë së aristokracisë vendase me prirje autonomiste, mbajtëse e gradave të larta në hierarkinë bizantine, etj. Gjithçka zë fill me Progonin, i cili duke shfrytëzuar të gjitha rrethanat dhe duke shtuar aleancat arriti të krijojë Prinicipatën autonome të Arbënit, që me Dhimitrin bëhet plotësisht e pavarur. Dhimitri ishte mbajtës i titullit te lartë, “Panhypersevast”, të cilin e gëzonin vetëm mbetërit, princët dhe dukët, që kishin lidhje familjare me perandorin bizantin. Dhimitri këtë titull e kishte fituar prej bashkëshortes së tij, e cila ishte mbesa e perandorit bizantin Aleksit të Tretë Engjëlli.

Një vend të rëndësishëm në këtë studim zënë pikëpamjet e historianit të njohur, Kristo Frashëri, që shprehet, thuajse kategorik, në përfundimet e tij se: “në asnjë vend, shtetet e para nuk kanë përfshirë që në fillim mbarë trojet etnike. Zakonisht ato janë formuar në një nga ngastrat territoriale të trevës etnike. Me formimin e shtetit të parë, që kudo ka qenë i cunguar, fillon ajo prirje e madhe që mbulon krejt Mesjetën- zgjerimi i kufijve të tij politikë deri në kufijtë linguistikë të etnisë. Rëndësia e Shtetit të Arbnit është e jashtëzakonshme në jetën politike të shqiptarëve, pavarësisht se jetëgjatësia e tij zgjati vetëm një çerek shekulli, sepse mbeti aspirate e të gjithë brezave shqiptarë dhe personaliteteve tona përgjatë historisë.

Duhet theksuar se, ndonëse më 1216 ky shtet pushoi së funksionuari, ai nuk u asgjësua, por i vijoi funksionet gjysmë-autonomiste nëpërmjet asaj që njihet si vetëqeverisje e maleve. Ekzistenca e këtij shteti shërbeu për krijimin e klasës feudale shqiptare dhe nacionalizimin e saj. Vetëm rreth 50 vjet më vonë do të shohim se disa nga familjet fisnike të Arbërit, si Topiajt, Skurajt, Blinishtët, Jonimajt, Dukagjinët, Vranajt, Arianitët etj., ishin rikthyer në besimin katolik dhe mbanin lidhje të ngushta me anzhuinët, të cilët krijuan Mbretërinë e Arbnit në hapësira më të mëdha se ajo e Principatës, si dhe me vetë kreun e kishës katolike, Papën e Romës. Pas Blinishtëve dhe Dukagjinëve në vitin 1338 shfaqet si zot i Arbnit konti Tanush Topia ndërmjet Matit e Drinit, për të vijuar më tej me Balshajt e Kastriotët.

Ndonëse, siç theksuam më lart, Progoni ishte themeluesi i Principatës së Arbnit, i biri, Dhimitri, shquhet jo vetëm si politikan, por edhe si diplomat i jashtëzakonshëm. Ai mban lidhje me botën bizantine dhe atë perëndimore njëkohësisht, deri sa përcaktohet përfundimisht si perëndimor, duke ndërruar edhe fenë në atë katolike. Ai është i pari ndër arbnit që e hedh këtë hap, duke depërtuar ndërmjet dy botëve për të përfituar nga konjukturat, ambiciet dhe synimet e tyre. Me rëndësi është dhe marrëveshja me Raguzën, që Dhimitri e nënshkruan vetë i pesëmbëdhjetë, çka do të thotë se nuk ishte një sundues bizantin me pushtet absolut, por një sundues shqiptar që respekton edhe traditën zakonore të vendit të vet, që ka mbërritur deri në ditët tona në Mirditë në ndarjen e pushtetit midis kapidanit, krerëve dhe vegjëlisë. Kjo praktikë nuk ishte bizantine, e as perëndimore, por një praktikë diplomatike shqiptare. Marrëveshja është e shkruar në latinisht, ndryshe nga gjuha bizantine që ishte greqishtja.

Kristo Frashëri arsyeton se: “për indentifikimin e tyre mund të na ndihmojnë emrat e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore që ndeshen në burimet mesjetare në hapësirën gjeografike midis lumejve Drin në veri dhe Shkumbin në jug, detit Adriatik në perëndim dhe vargut të maleve në shpinë të Dibrës në lindje”. Autori duhet të ketë të drejtë në pikpamjen e tij përsa i përket përfaqësimit të tyre, madje edhe në lidhje me territorin ku ata kanë ushtruar pushtetin, pasi dekadat dhe shekujt e mëvonshëm sollën sundimtarë të konsoliduar vendas, të cilët mbijetuan deri në stabilizimin e pushtimit osman, i cili i zhduku nga faqja e dheut të gjithë, por ata që i mbijetuan qenë vetëm këta krenë, ai lloj përfaqësimi vetëqeverisës, të cilët në formën më të paprekur u rrudhën deri në trevën e Mirditës së sotme. Autori, megjithë mundësinë që ka pasur, nuk ka bërë identifikimin e pesëmbëdhjetëve nënshkruesve të Marrëveshjes. Madje nuk ka avancuar më tej mendimin e Frashërit se: “ata duhet të jenë prijësit e pesëmbëdhjetë bashkësive krahinore, të cilët kur u nënshkrua marrëveshja ishin integruar në Principatën e Arbërisë. Prania e nënshkrimeve të tyre tregon se ata gëzonin një pushtet partikularist, të cilin nuk ia kishin deleguar plotësisht sovranit. Këto elemente tregojnë se Principata mbështetej në bashkësitë krahinore gjysmë-autonome, të cilat, siç e ka treguar historia e mëvonshme e Shqipërisë, ndonjë prej tyre e ruajti qeverisjen autonome të brendshme deri më 28 Nëntor 1912”. Dëshiroj të bëj një rregullim këtu; së pari duhej theksuar se, zyrtarisht, disa prej tyre e ruajtën qeverisjen autonome të brendshme, jo deri më 28 Nëntor 1912, por deri në fund të vitit 1921, kohë kur territoret, ku ata veteqeverisnin, u vendosën nën administrimin e qeverisë shqiptare. Guxojmë të themi se ata të pesëmbëdhjetë nuk ishin askush më pak se ata që thirreshin “Krenë”. Nga të gjitha përshkrimet dhe hipotezat që bëhen mbi ta, ajo që përafron më shumë me cilësitë e tyre janë krenët, të atij lloj që kanë vetëqeverisur Mirditën për shekuj me rradhë.

Në këtë studim, autori Loka përdor dokumentet kishtare në funksion të argumentimit se qendra kishtare dhe ajo politike e Arbnit i përkisnin të njëjtës trevë. Përmendja e parë e kësaj Ipeshkvie daton ne vitin… “1166, në aktin e shugurimit të kishës së Shën Trifonit në Kotorr”, ku, krahas, “… Lazaro albanesi” dhe “Lazarus episcopus Arbanensis”, i cili shuguron altarin në të majtë të kryesorit, marrin pjesë ndër të tjerë dhe “Andrea prior Albanensis” e “Georgio abate sancti Salvatoris Arbanensis” (i Rubikut). Një vit më vonë, në vitin 1167, Papa Aleksandri III i drejtohet “Lazarum episcopum de Arbania” duke e lavdëruar që dëshiron të mohojë ritin ortodoks: “Ke vullnet t’i shmangesh në shumë raste, kur të paraqitet mundësia, ritit grek”. Në rrethana të tilla mendojmë se kemi të bëjmë me një ipeshkvi të krijuar jo prej shumë kohësh, në një territor të mitropolisë ortodokse të Durrësit, pra nën sundimin bizantin, që për të afrimuar qenien e vet apo dhe për bindjet fetare, lidhet me arqipeshkvinë e Raguzës (pak më vonë e Tivarit-Antibarense)”. Aleksandër Meksi thekson gjithashtu lidhjen ndërmjet Ipeshkëvisë dhe Principatës. Sipas tij, “krijimi i një peshkopate të re në kushtet e Mesjetës, duke iu shkëputur strukturave të mëparshme kishtare me një traditë të gjatë, nuk mund të kuptohet pa përkrahjen e një fuqie shtetërore ose të një feudali, në zotërimet e të cilit ndodhej. Kemi parasysh edhe dëshirën e sunduesve dhe prelatëve të krahinës që të lidhen me kishën latine. Veç të tjerave, për një veprim të tillë, duket se ka luajtur rol dhe abacia e Shën Aleksandrit ne Mal të Shenjtit, dikur nje manastir ortodoks, nga vjen dhe emri i vendit Orosh (Agjios Oros – Mali i Shenjtit), e lidhur me benediktinët, ashtu dhe abaci të tjera katolike në atë krahinë si ajo e Rubikut, kisha e se cilës dëshmon qartë për lidhje arkitekturore me botën katolike të bregdetit dalmatin… Kuptohet që, duke pranuar se ipeshkvia Arbanense nuk është e njëjtë me atë të Krujës, kemi veçuar dhe territoret e tyre”. Duke qenë se manastiret krahas emrit të shenjtorit marrin respektivisht emrat e vendeve ku janë vendosur, atëherë manastiret e Shëlbuemit në Rubik (Sanci Salvatori Arbanensis); manastiri i Shën Llezhdrit ne Orosh apo në Malin e Shenjtë, (Alexandri Major de Albani) dhe abacia e Shën Mërisë në Trafandinë “Sancta Maria di Trafandina in diocesis de Albania”, na krijojnë mundësi dhe bindjen e plotë për të përcaktuar territorin fillestar të Principatës se Arbnit.

Autori Nikollw Loka, duke bërë kujdesin e duhur për të mos dhënë përfundime jobindëse, vetem sa i përmend përfundimet e Shutëriqit se këto manastire, si ai i Rubikut, i Gëziqit, Shënpalit dhe Oroshit përcaktojnë shtrirjen e Ipeshkvisë katolike Arbanense, që i bie të jetë përgjatë rrugës Durrës, Shëngjin, Lezhë, Prizren, Nish, por brenda territorit të sotëm të Mirditës. Formulimin më të qartë për praninë e manastireve përgjatë rrugës e ka dhënë Kasem Biçoku, që e sheh krijimin e Ipeshkëvisë si shprehje të interesave politike dhe ekonomike: “Peshkopatën e Arbënit e krijuan interesat ekonomike dhe politike të aristokracisë vendore shqiptare… ndërsa zhdukjen apo tjetërsimin e saj e bëri pushtuesi osman…”.

Në lidhje me zhvendosjen e qendrës së Principatës, e cila në kohën e Dhimitrit u njoh zyrtarisht si Mbretëri nga Papa Aleksandri i Tretë, nga Kruja për në Trafandinë (Ndërfandë), faktet lidhen me manovrat diplomatike të mbretit Dhimitër për të përballuar presionin e despotit bizantin, Mihal Engjëll Komneni, i cili po përparonte nga Korfuzi në drejtim të veriut, lidhi aleancë me Gjergjin e Zetës, i cili kishte hyrë në marrëveshje me Venedikun. E megjithë përpjekjet e tij Despoti i Epirit, që më vonë u bë edhe Perandor, Mihal Engjëll Komneni, më 1213 pushtoi Krujën. Dhimitri u detyrua të largohej nga Kruja dhe u vendos, në fshatin Gëziq te Mirditës (i përfshirë në territorin e Ndërfanës). Principata e Arbënit konsolidoi ekzistencën e kombësisë themelin e shtetit tonë, kjo vlen për të gjithë lidershipin politik shqiptar të të gjithë kohërave, të cilët me mungesën më të pashpjegueshme të vetëdijes politike, pothuajse e kanë asgjësuar prej memories historike. Mjafton të përmendim se në korpusin e botimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë prej katër volumesh me titull, “Historia e Popullit Shqiptar”, Shteti i Arbnit nuk zë as edhe një faqe të plotë, përkundrejt banaliteteve të pavlera që mbushin kapituj të tërë. Ndërsa, përsa u përket institucioneve të shtetit dhe pushtetit lokal, të cilët nuk kanë lënë anonimë pa përjetësuar me emrat e tyre në rrugë e institucione kulturore e shtetërore, nuk kanë gjetur as edhe një rrugicë të pandriçuar dhe të humbur, që të mbajë e përkujtojë emrin e Shtetit të Parë Shqiptar.

Kristo Frashëri, ndër të tjera, thotë se: “…historianët objektivë e vlerësojnë formimin e shtetit të parë të një populli si veprën madhore të historisë së tij mesjetare…”. Në fakt, kjo nuk ka ndodhur ende, por kurrë nuk është vonë. Shteti i Arbnit, së bashku me trevën që e krijoi, nuk është asgjë më pak se Piemonti ynë. Kjo është një thirrje që vjen prej të vërtetës historike të pranuar e njohur, por ende të pavlerësuar. Ne duhet të sillemi si të gjithë kombet e tjera të qytetëruara në lidhje me djepin kombëtar, që vetëm në ligjërimin nacionalist duket jashtë kohës.

Çdo komb është formuar duke iu bashkangjitur një qendre, që nuk duhet të gjykohet për çfarë përfaqëson në të tashmen, kur gjykojmë të kaluarën. Treva që përfshin Principatën mbeti deri në krijimin e shtetit shqiptar si bërthama shtetformuese, edhe pse ende nuk pranohet plotësisht dhe nganjëherë, pranohet pa arsye vetëm me keqardhje. Kjo trevë, Mirdita, jo rastësisht, mbeti e lirë, pjesa më autentike e Shqipërisë dhe vazhduese e traditës paraosmane ndër shqiptarë. Historia jonë si kombtare është e pasur, por jo aq sa për të harruar e fshirë nga kujtesa ndalesat (stacionet), më të fuqishme të saj, siç është “çerekshekulli europeist” i Shtetit të Arbërit. Kështu nuk i duhet askuj.

d.ba.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

five × 2 =