Trumpi dhe Greqia, si shpresë e vetme! - Arbëria News

Trumpi dhe Greqia, si shpresë e vetme!

Nga Mero Baze

 

Opozita shqiptare po krijon idenë se suksesi i saj më i afërt, doctor varet nga politika ndërkombëtare dhe jo nga ajo kombëtare. Ajo po investohet në dy faktorë fallco, tek të cilët shpreson të mbështesë strategjinë fituese. E para në nxitjen e armiqësisë së Greqisë, ndaj Shqipërisë, duke dalë në anën e Greqisë, kundër interesit kombëtar, për shkak të nevojës për një aleancë të gjerë negociuar nga Greqia, dhe së dyti për të krijuar idenë se fitorja e Trumpit, do t’i sjellë ata në pushtet.

Përpjekjet e Sali Berishës për të qenë një aleat politik i Athinës zyrtare, kundër shtetit shqiptar, duket se lidhen me zhvillimet politike të PDIU, dhe djegien e shansit për të rrëzuar qeverinë “Rama” në Shtator.

Në gushtin e këtij viti, kur po bëheshin përpjekje për një shumicë të re të opozitës në Kuvend, për një qeveri të re, Partia e komunitetit çam, PDIU, u bë faktor vendimtar për t’i prerë shpresat Berishës. Rreshtimi i tyre më tej në zgjedhjet e Dibrës si një faktor lokal, pro qeverisë, duket se vulosi një lloj urrejtjeje politike ndaj tyre.

Duke parë se një nga shkaqet reale që kanë çuar në një farë nervozizmi të qeverisë greke ndaj asaj shqiptare, është realisht përfshirja e çamëve në qeverisje në nivele të dyta dhe koalicioni i tyre me Ramën, Berisha ka vendosur ti hedhë benzinë zjarrit, pikërisht këtu.

Ai ka 7 vite që e ka nënshkruar Paktin Detar me Greqinë për kufijtë detarë dhe që ua ka falur atë sipërfaqe, por nuk e ka mbrojtur kurrë publikisht. Përfshirja e tij e hapur në një betejë pro Greqisë, lidhet pikërisht me shpresën se fuqizimi i një aleance me Greqinë para zgjedhjeve, duke u kujtuar atyre ”nderin” që u ka bërë, mund të rrëzojë Edi Ramën nga pushteti.

Në mënyrën se si ka folur Berisha pro Greqisë, për kufijtë detarë, nuk ka folur, as Vangjel Dulja, por as ndonjë Kryeministër grek. Dhe ata janë treguar të kujdesshëm dhe kanë folur për referenca të ligjit ndërkombëtar, ndërsa Berisha ka folur me vendosmërinë e njeriut që do t’u shërbejë atyre në këtë çështje.

Duke i hedhur benzinë zjarrit, pikërisht tek “çështja çame”, dhe përfshirja e tyre në qeveri me Ramën, Berisha shpreson se do të forcojë një aleancë të gjerë të faktorëve politikë të ndarë në raport me këtë çështje. Ai shpreson se Athina do të negociojë me këtë rast koalicionin PD, LSI, PBDNJ, si koalicion i miqësisë së mirë me Greqinë, dhe do të rrisë shanset të përballet me Ramën dhe aleatët e tij.

Njësoj dhe me rastin e Trump. Berisha shpreson se Edi Rama mund të rrëzohet vetëm nga faktorë ndërkombëtarë dhe jo nga brenda. Ai shpreson shumë se Presidenti i ri i SHBA, i cili është përballur këto ditë, me një stuhi sulmesh nga NATO dhe Bashkimi Evropian, për shkak të qëndrimeve të tij, do të ndihmojë Berishën të rikthehet në pushtet.

Më kujtohet viti 2000 kur fitoi Xhorx Bushi, dhe Berishës i mundësoi një ftesë për inagurim ish kongresmeni Dioguard. Berisha u nis për Uashington, njësoj si tani, duke përhapur legjendën se sa të shkojë në SHBA, do ta takojë Xhorxh Bushin, (plakun) dhe ai do t’i flasë djalit për hallin e Berishës. Një mentalitet tërësisht provincial për mënyrën, se si ndikon politika amerikane në një vend. Ilir Meta, në atë kohë Kryeministër, që i mori seriozisht thashethemet e Berishës, për t’i zhvlerësuar ato, dërgoi me urgjencë Ndre Legisin si përfaqësues të qeverisë në inaugurim.

Në fakt Berisha kishte qenë në një cep të Bulevardit, ku bëhej inagurimi dhe një një temperaturë minus 17 gradë, nuk kishte rezistuar shumë  Kur u kthye, rezultoi se nuk kishte takuar dhe as folur dot, as me Bushin e ri, e as me të vjetrin. Por i kishte dërguar një letër Bushit vjetër, i cili ju përgjigj pas disa muajsh për kortezi dhe i tha se ishte i mërzitur që shtypi i kishte sharë Jebin, djalin e vogël sikur manipuloi votat në Florida për vëllain. Kaq ishte i gjithë halli i babait për djemtë e tij. Berisha humbi përsëri.

Në vitin 2001, demokratët besonin se aleanca e tre “B”-ve, Berisha, Berluskoni, Bushi do t’i sillte në pushtet. Në fakt Bushi priti Ilir Metën në Uashington dhe Berluskoni thuajse ra në dashuri me Fatos Nanon.

Tani nuk e di si do përfundojë telenovela Basha Trump, por e sigurt është që Trump, nuk bëhet dot një “trap lundrues” për Bashën drejt pushtetit. Ose siç u thotë Daçiçi serbëve, atyre që janë gëzuar sa Berisha për fitoren e tij, “mos fluturoni me preshë në b…” nga fitorja eTrumpit.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

3 × two =