Media e njohur botërore “Reuters” ka dëshmuar nga afër e një gruaje xhihadiste, për tmerret e luftës që ajo ka përjetuar, si ka shkuar jeta e saj dhe për jetën e tanishme në kampe në zona të largëta të Sirisë.

Rauan Aboud tregon se ishte martuar në moshë të hershme me një luftëtar të ISIS, i cili ishte abuzues me të, ndërsa pas vdekjes së tij në betejë, ajo kishte tentuar të largohet nga IS.

Mirëpo, Aboud u burgos për shkak të pjesëmarrjes në ISIS dhe u detyrua të martohet sërish me një tjetër militant islamik.

Kur edhe bashkëshorti i dytë vdiq në betejë, ajo u largua përfundimisht nga ISIS dhe vijoi jetën e saj tepër të vështirë.

Tani ajo është e strehuar në kampet ku mbahen njerëzit e ISIS, edhe pse nuk e dëshiron më grupin militant, pasi siç shprehet, ka vërejtur dhunë e tmerre nga grupimi islamik.

“Jam martuar 12 vjeçe. Tani jam 18. Bashkëshorti më solli në Raqqa. Ai më rrahu, duke më akuzuar se po largohesha”, tregon vajza nga Siria. Ajo dhe të tjera gra jetojnë në kampe, që janë marrë nën frerët e SHBA-ve dhe forcave lokale kurde.  Aboud thotë se dëshiron të lërë historinë e shkuar dhe të shkojë në shtëpinë e prindërve në Raqqa, por këtë gjë autoritetet në kamp nuk ia lejojnë.