I vetmi kapital i opozitës është Lulzim Basha - Arbëria News

I vetmi kapital i opozitës është Lulzim Basha

Megjithëse opozita shqiptare ka arritur deri më tani të mbajë frymën e protestës gjallë, megjithëse pjesëmarrja në atë të së shtunës ishte relativisht e madhe, duket sikur sa më shumë koha kalon çdo gjë bëhet më e vështirë për qëllimet dhe betejën e saj.

Në fakt, rraskapitja e opozitës është strategjia e vetme e mazhorancës, e cila nuk e ka kthyer për asnjë moment kokën nga protesta e saj dhe vazhdon punën sikur asgjë nuk ka ndodhur në politikën shqiptare me një lehtësi të pakuptueshme, që me të gjitha gjasat nuk do të vazhdojë për shumë gjatë.

Opozita deri më tani ende nuk e ka arritur momentin e qenësishëm për të përcjellë kauzën politike përtej radhëve të saj dhe kjo duket qartë, në të kundërt, situata politike do të ishte krejt ndryshe. E megjithatë, edhe forcimi i radhëve është një arritje për t’u mos u nënvlerësuar.

Duket sikur në këtë moment çdo gjë është e keqvendosur në opozitën shqiptare dhe nuk ka asgjë në favorin e saj. Koha shkon kundër kauzës së saj, ndërkombëtarët po ashtu, opinioni publik i gjerë i lodhur nga krizat politike të vazhdueshme dhe tensionet politike nuk e mbështet një aksion të tillë, dhe sondazhi i IPR marketing e tregoi, ku 60% e shqiptarëve shpreheshin kundër djegies së mandateve.

E gjitha kjo atmosferë që ekziston rreth aksionit të opozitës është më se e kuptueshme, pasi djegia e mandateve është një akt i rëndë dhe i paprecedentë, por nëse bëhet për interesin publik mund të pranohet nga shqiptarët dhe ndërkombëtarët. Kjo është një sfidë më vete e opozitës, e cila duhet medoemos ta përcjellë këtë mesazh te shqiptarët, nëse kërkon që të arrijë me sukses qëllimet e saj.

Përtej këtyre faktorëve që shkojnë jo në favor të aksionit të opozitës dhe e bëjnë atë të vështirë, opozita ka një kapital dhe një kartë të rëndësishme për të luajtur në favor të saj, madje të vetmin kapital në këtë moment. Dhe ky kapital është padyshim vetë Lulzim Basha dhe figura e tij politike, i cili është i vetmi politikan që mund të konkurrojë dhe të mundë Edi Ramën. Çdo alternativë tjetër që nuk e sheh Lulzim Bashën si lidershipin e fortë, të qartë dhe të padiskutueshëm të opozitës, është një alternativë që çon ujë në mullirin e mazhorancës dhe Edi Ramës. Ky i fundit e di mjaft mirë këtë gjë dhe nuk lë rast pa vënë në diskutim lidershipin e Bashës.

Përtej çdo kritike, apo perceptimi jo fort të mirë që është krijuar rreth figurës së Lulzim Bashës, brenda dhe jashtë opozitës shqiptare, duke e parë me skepticizëm aksionin e tij, opozita shqiptare nuk mund të ketë një kartë më të fortë sesa Basha dhe lidershipi i tij për të konkurruar me këtë qeveri.

Prandaj, të gjitha forcat opozitare e kanë për detyrë që të konvergojnë rreth figurës së Lulzim Bashës, pasi çdo alternativë tjetër është humbëse për opozitën, çdo kapital apo aksion është i harxhuar apo i shqyrtuar më parë nga qytetarët shqiptarë, dhe si të tilla nuk mund të mbledhin asnjë kredit politik.

Mirëpo, vetë Lulzim Basha duhet të mendojë i pari se ç’duhet të bëjë me veten e tij dhe kapitalin politik që ka figura e tij, dhe si duhet ta përdorë atë.

Për shembull, vetë Basha e di që aksioni që ka ndërmarrë është një aksion që vështirë se mund të ketë sukses pa mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe sidomos të amerikanëve. Fitimi i mbështetjes së tyre nuk është një gjë e pamundur, edhe më një veprim radikal si ai i djegies së mandateve. Amerikanët në Shqipëri nuk e mbështesin as atë as Edi Ramën, por shqiptarët dhe politikën e tyre. Në këtë drejtim, këto janë dy sfidat kryesore që Basha ka përpara. T’i bindë ndërkombëtarët se djegia e mandateve është në interesat e shqiptarëve dhe se politika e Partisë Demokratike dhe e tij personalisht nuk është e kundërt me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe për të bërë këtë, duhet t’ia nisë me një qasje të ndryshme si me reformën në drejtësi, duke theksuar se qeveria tranzitore është në favor të saj dhe jo kundër saj, si dhe një qasje tjetër mjaft e rëndësishme për politikën amerikane, siç është ajo e marrëveshjes së mundshme midis Kosovës dhe Serbisë, të cilën deri më tani e ka kundërshtuar në mënyrë frontale dhe të pakushtëzuar.

Për të gjitha këto arsye, të vetmin kapital politik që ka Basha në këto momente, që është vetja e tij, duhet ta përdorë dhe ta shfrytëzojë në mënyrë inteligjente për të arritur qëllimet e aksionit politik të opozitës. Çdo rrugë tjetër është një rrugë që opozita shqiptare nuk e ka në këtë moment.

Ervis Iljazaj

/Gazeta Liberale/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

14 + 15 =