I vetmi mëkat i Sorosit - Arbëria News

I vetmi mëkat i Sorosit

Nuk kam përfituar ndonjë specializim nga Sorosi në Shqipëri, edhe pse do të më kishte pëlqyer. E rrëmbyer nga melodia e gjuhës dhe kultura italiane, anglishtja ime nuk ka qenë asnjëherë “very good”, por edhe puna frenetike në redaksi, gabimisht, më bënte të mendoja se “trajnimi” më i mirë është eksperienca në linjë të parë. Pendohem sot, pasi sa më shumë dritare hapim në mendjen tonë, sidomos ne që jetojmë në një vend të vogël e për shumë vite të mbyllur, aq më shumë zgjerojmë horizontin dhe hapim zemrën ndaj botës shumëngjyrëshe. Përballja me kultura, dije e mentalitetet e botës mbarë, na përmirësojnë, dhe Shtetet e Bashkuara janë shembulli më i mirë i një bote multietnike e kaq të ndryshme sa vetëm një Demokraci e drejtë dhe e fortë mund ta mbajë të bashkuar.

Soros ka ofruar shumë në Shqipëri. Mijëra të rinj e të reja, nga familje me të ardhura modeste, në pamundësi për të udhëtuar e për të studiuar jashtë, kanë “fluturuar” për të bërë kurset më të mira në shkolla që as në ëndërr nuk mund t’i shihnin. Sot, disa prej tyre janë bërë milionerë klandestinë, por sulmues të hapur të Sorosit. Nuk e di sesa teoritë e komploteve që hidhen sot me vrazhdësi në publik kanë qoftë edhe pak grimca të vërteta, por duke njohur mirë individët që i shpalosin, duke verifikuar intrigat e tyre vit pas viti kudo kanë aderuar e çfarëdo kanë bërë, logjikisht nxjerr përfundimin se janë në të njëjtën valë shpifjesh e sajimesh që arrijnë të thurin për këdo.

Thënë kjo, besoj se nuk ndryshon gjë për ata që këtë baltë e kanë tashmë, por, për të ndezur dritën mbi këta tipa që kanë kaq shumë fjalë të këqija për këdo që nuk është në një valë mendimi, mendoj se është një punë që duhet bërë përherë. Dhe duke u kthyer te Soros dhe te gjithë kontributin e dhënë ndër vite për të hapur mendjet e shumë shqiptarëve në eksperiencat e tyre të mirëpaguara them se ka gabuar në një gjë: Aq të mbyllura, provinciale, të ftohta e të varfëra paskan qenë disa të sponsorizuar, saqë nuk ka investim i Sorosit që do të mund t’i bënte derman. E megjithatë, edhe pika e shiut mbi shkëmbinj, ka punë të gjatë për të bërë.

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

thirteen + 5 =