'Vol-vo 4'/ Arrestohet 'truri' i grupit të Shijakut, Hekuran Hoxha, porositi heroinën në Has - Arbëria News

‘Vol-vo 4’/ Arrestohet ‘truri’ i grupit të Shijakut, Hekuran Hoxha, porositi heroinën në Has

SHIJAK – Arrestohet “truri” i grupit kriminal të Shijakut në vijim të megaoperacionit “Vol-vo 4”. Në prangat e policisë ka rënë Hekuran Hoxha, 48-vjeç, banues në Xhafzotaj. Urdhërarresti është ekzekutuar mbrëmjen e sotme, një ditë pas lëshimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai akuzohet për disa vepra penale, mes tyre pjesëmarrje në grup kriminal, trafik droge dhe pastrim parash. Hekuran Hoxha i cili njihet edhe si “Roni i Shijakut” rezulton të jetë kreu i një grupi të fuqishëm të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali në Turqi, ku trafikonte edhe droga të forta si heroinë.

“Roni i Shijakut” dyshohet se porositi bashkë me Sajmir Gjepalin, (i shpallur në kërkim), heroinën që prodhohej laboratorin e  Hasit. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se ata kanë mbajtur kontakte me biznesmenin Admir Hoxha ( i shpallur në kërkim) për ngritjen e laboratorit të heroinës në Has i cili u zbulua në tetor 2018. Hekuran Hoxha është arrestuar edhe në vitin 2009 si i dyshuar për trafikimin e rreth 400 kg heroine në Itali. Si dhe në vitin 2011 për trafik heroine në Turqi. Mbrëmjen e 21 tetorit 2018, FNSH dhe RENEA në kuadër të operacionit të koduar VOL-VO 4 prangosën 24 persona mes të cilëve Avdylajt e Shijakut si dhe ish deputetet Arben Ndoka dhe Arben Cuko, emrat e të cilëvë dolën nga përgjimet e bandës së Shijakut me banda të tjera në Shqipëri.

Policia ka arrestuar 5 persona për laboratorin e heroinës në Has, dy prej të cilëve u liruan nga Gjykata, që dyshohet se ishin punonjës. Ndërkohë, në kërkim janë dy shtetas turq. Bëhet fjalë për Iskënder Sale, 35 vjeç, dhe Nejdet Cesuroglu, 49 vjeç.

Hetimet

Sipas dosjes së Prokurorisë, dy nga anëtarët e grupit të Shijakut, Sajmir Gjepali dhe shtetasi H. Hoxha, i cili ka qenë i dënuar më parë në Turqi si i akuzuar për trafik heroine, ka pasur komunikime me biznesmenin nga Tirana për laboratorin e drogës në Has. Prokuroria ka dokumentuar një takim mes Admir Hoxhës me dy shtetasit turq Nedjet Cesuroglu allias Lavdërim Limani dhe Iskender Sale në hotelin e tij në Rinas, si dhe me shtetasin nga Kosova, Xhemal Shala. Këta dy persona nga Turqia, sipas Prokurorisë kanë sjellë lëndën e parë për ta kthyer në heroinë. Admir Hoxha, nga vëzhgimet në terren rezulton se është personi që kishte përgatitur ambientin e kthyer në laborator për prodhimin e lëndës narkotike në bashkëpunim me persona ende të paidentifikuar. Nga provat e mbledhura në laborator, krahas lëndës së parë ka rezultuar se ishte prodhuar 182.5 kg drogë. Prokuroria mbërrin në përfundim se, të dhënat e përftuara deri më tani tregojnë se lëndët dhe sendet materiale të sekuestruara shërbenin për prodhimin e lëndëve narkotike si ajo e heroinës.

Shqiptarë dhe turqit

Sipas Prokurorisë, Xhemal Shala, Admir Hoxha dhe dy shtetasit turq, në bashkëpunim mes tyre në formën e një grupi të strukturuar kriminal janë përfshirë në prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Admir Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij turq dhe kosovarë vijojnë te jenë në kërkim nga Policia. Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, Admir Hoxha rezulton të jetë pronar i hotelit “Ador Resort”, në Rinas. Ky biznes rezulton të jetë regjistruar në vitin 2011, por më 2 tetor të këtij viti mban statusin “i pezulluar”. Sipas dosjes së Prokurorisë, këta persona janë mbajtur nën vëzhgim nga oficerët e Policisë Gjyqësore, që po merreshin me hetimin e çështjes.

Njoftimi i plotë

Vijon operacioni “Vol-Vo 4”

Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në kuadër të operacionit policor “Vol-Vo 4” kapen dhe ndaluan një tjetër dyshuar.

Në këtë kuadër, mbrëmjen e sotme është ekzekutuar urdhër ndalimi për shtetasin H.H., 48 vjeç, nga Xhafzotaj, Shijak. Ndalimi u bë pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda ka lëshuar, në datë 17 janar 2019 urdhër ndalimi për të.

Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, “Trafikim i narkotikëve”, “Prodhim dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

/SH.com/

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

5 × 2 =