Vrau gruan dhe mbuloi krimin, dënohet me 35 vite burg 77- vjeçari. Gjykata shpall fajtor edhe mjekun - Arbëria News

Vrau gruan dhe mbuloi krimin, dënohet me 35 vite burg 77- vjeçari. Gjykata shpall fajtor edhe mjekun

Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 35 vite burg Namik Velajn, i cili në janarin e 2017-s vrau bashkëshorten e tij duke e mbytur, ndërsa ngjarja u zbulua një vit më vonë pas denoncimit të vëllezërve të viktimës.

I fajshëm për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u shpall dhe mjeku Ilir Tanku, i cili, sipas Prokurorisë, me mosveprimet e tij, ka bërë që ngjarja të mos zbulohej që në fillim. Mjeku u dënua me dy vite burg, por do t’i shlyejë në shërbim prove për 4 vite. Ndërkohë, në seancën e djeshme, mbrojtja e 77- vjeçarit kërkoi pafajësi, duke pretenduar se vdekja e së ndjerës, Verke Velaj, ka ardhur për shkaqe natyrale. Sipas tyre, akuza e Prokurorisë nuk është e mbështetur në asnjë provë shkencore, por vetëm në dyshime. Pafajësi kërkoi edhe mjeku Ilir Tanku, duke pretenduar se ai kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe nuk kishte shkelur ligjin në asnjë moment.

Por, përpos pretendimeve të mbrojtjes, treshja gjykuese, pasi u tërhoq për dy orë në Dhomën e Këshillimit, gjeti fajtor Namik Velajn dhe Ilir Tankun. Disa seanca më parë, prokurori i çështjes, Besnik Muçi, kërkoi nga Gjykata dënimin me burgim të përjetshëm të Velajt, duke dhënë si rrethanë rënduese faktin se i moshuari nuk e ka pranuar krimin dhe nuk ka shprehur pendesë. Ndërkohë, për mjekun Ilir Tanku, u kërkua dënimi me 3 vite burg dhe pezullim i dënimit për ta shlyer atë në shërbim prove.

HETIMET

Referuar hetimeve të kryera nga Krimet e Rënda, ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 3 janar të 2017-s, kur Namik Velaj i ka marrë jetën bashkëshortes së tij, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Prokuroria pretendon se Namik Velaj, gjatë kohës që ka qenë në banesën e tij së bashku me viktimën Verkë Veliaj, e ka vrarë këtë të fundit me anë të mbytjes, duke i bllokuar rrugët e frymëmarrjes. Ndërsa për të mbuluar krimin, ai i ka vendosur viktimës një shall në grykë dhe ka njoftuar njerëzit me qëllim kryerjen e riteve mortore. Pasi viktima ka ndërruar jetë, si fillim shtetasi Namik Velaj ka njoftuar komshinjtë për vdekjen, më pas familjarët e tij dhe të viktimës, ndërsa ceremoninë e varrimit e kanë bërë të nesërmen. Sipas prokurorit, edhe pas kërkesës së vëllezërve të viktimës që t’i shihnin trupin, ata nuk janë lejuar nga 77-vjeçari, gjë që ka bërë që të dyshonin se motra e tyre kishte ndërruar jetë nga dhuna.

Edhe gjatë procesit, familjarët e viktimës kanë pretenduar se Velaj kishte qenë disa herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës dhe, pas kësaj, ka qenë i dhunshëm me të. Ndërkohë, ato që kanë nxjerrë zbuluar krimin e Velajt, sipas hetimeve, kanë qenë bashkëshortet e dy vëllezërve të viktimës, të cilat në një moment kanë mundur të shohin në qafën e Verke Velajt shenja të kuqërremta. Ato kanë deklaruar se kanë parë shenja dhune në qafën e saj dhe kështu, 3 ditë pasi është bërë ceremonia e varrimit, një prej vëllezërve të viktimës ka bërë kallëzim në Policinë e Fierit, ku, sipas prokurorit, janë marrë në pyetje të gjithë personat që kanë pasur kontakt me autorin e dyshuar dhe kanë parë viktimën para se ajo të varrosej.

Të afërmit e viktimës në dëshmitë e tyre janë shprehur se në qafën e saj ka pasur shenja dhune. Nga ana tjetër, në pyetje janë marrë edhe dy mjekë. Mjeku, që konfirmoi vdekjen duke mbushur kartelën dhe mjekja e familjes. Sipas prokurorit, personi nën hetim, mjeku Ilir Tanku, ka deklaruar se ndoshta dëshmitarja që ka thënë se ka parë shenja dhune, ka qenë para tij në banesë, por, sipas dëshmitares Naile Velaj, ajo ka qenë pas mjekut.

Ndërsa më tej, ky i fundit është shprehur së kishte qenë në banesën ku ndodhi krimi rreth orës 5 dhe nuk ka konstatuar shenja dhune, ndërsa ka shtuar se për të dalluar shenjat e dhunës duhet ndriçim i mirë, kusht që nuk ta ofronte dhoma në të cilën ishte viktima. Më tej, prokuroi shpjegon se i dyshuari si autor është vënë në përgjim, nga ku kanë dalë biseda në të cilat flitej për marrjen në pyetje të të gjithë personave të afërt. Në këto përgjime, personi nën hetim Velaj tregonte frikë në lidhje me zbulimin e ngjarjes.

Kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se ka zbardhur të gjithë dinamikën e ngjarjes kriminale, por nga ana tjetër i dyshuari si autor i vrasjes pretendon të kundërtën dhe nuk ka pranuar fajin, megjithëse dje u deklarua fajtor nga Gjykata.

PANORAMA 

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

twenty − 12 =