Zoti na ruajt! - Arbëria News

Zoti na ruajt!

RAIMONDA SHUNDI

Ju kam lënë Zotin, Zoti të ruajttë, Zoti qoftë me ty!”. Shprehje shumë të përdorura shqiptare, pasi të është dhënë opsioni për t’i marrë këto bekim-mallkime. Nga i vetmi vend ateist, në një vend ku tashmë vetëm Zoti mbetet shpresë e madhe për vazhdimësinë. Ka humbur trishtueshëm kontrolli ndaj vetes dhe ndaj institucioneve, të cilat duhet të jenë ndihmëse. Ka humbur dhe humb çdo ditë e më shumë orientimi se cili është drejtimi i duhur, që zgjidh ankthin tënd të kudondodhur. Fëmijë të pashkolluar, të cilët duan dhe meritojnë të shkollohen; prindër të papunësuar, ku duan dhe janë të aftë të punojnë; biseda pa asnjë kod të kuptueshëm; shoqëri në kaos për sfidën e radhës; gjyshër me fëmijë në emigracion që vetëm presin vdekjen në asgjë. Kjo është panorama e përgjithshme e Shqipërisë 2019.

Dikur prindërit tanë bënin sikur punonin dhe shteti bënte sikur i paguante. Sot shteti bën sikur punon dhe mileti bën sikur i beson për t’i votuar. Shkollat tona po restaurohen, por arsimi është në kllapi, i kalbur, i lodhur, i trukuar me minifundin e trendit. Kullat po shtohen, por qyteti po humbet identitet, emocion, ngjyrat, historinë. Rrugët po shtrohen, por Zoti të ruajttë të ecësh në to. Kazanët po shtohen e ngjyrosen, por vakti i bukës së përditshëm po shtrenjtohet për ata që ushqehen me të. Bashkia i ka të gjithë “nën kontroll” dhe Policia zbon dhunshëm të paudhët e uritur për ushqimin e koshave, se qendrat sociale janë vetëm 4 për të gjithë të pamundurit.

Cila është hapësira ime, cila është e jotja; e di kush? Ministra nën hetim që shpejt dalin të pafajshëm, madje të cilët edhe mund të dëmshpërblehen për “baltën e hedhur padrejtësisht”; deputetë të inkriminuar, zgjedhje të bëra çuditshëm pa asnjë kod ligjor; gjyqësor në veting, ku vetingu ka ikur në Palma De Majorka; kriminelë; trafikantë, që dalin të larë pasi kanë bërë batërdinë me terror; skandale e zhvatje pronash publike e private; hapësira shtetërore dhuruar për asgjë PPP-ve apo klientëve miq. Shqipëria po jepet e gjitha në koncesion, përfshirë ne. Kjo është ajo çka prekim e shohim çdo ditë nëpër ekrane e skuta. Çfarë bëhet megjithatë në të vërtetë nuk shihet me sytë e tu, për fatin tënd të mirë dhe me kujdesin e atyre që kujdesen. Pra, zoti kjoftë me ne! Ama, jemi të lirë. “Të lirë dhe në zhvillim”.

Edhe një herë në kohën kur fshatarët i ngopin me fjalë të bukura e premtime boshe. Kur i lënë në mes të hallit si gjatë përmbytjes nga shiu, ashtu edhe në pamundësinë e shitjeve të përditshme të produkteve të tyre. Duhet kurajë e Zoti kjoftë me ta që të flasësh për makina korrëse, ushqim për kafshët me çmim sa më të lirë, dëmshpërblim të shtëpive të rrënuara nga evazioni, qendra të reja shëndetësore. Duhet lutje e madhe e kurajë të flasësh për rrugët, ujin, pensionet e ulëta, kur nuk është fushatë elektorale, kuptohet. Kurajë e lutje se kudo në të gjitha stacionet televizive apo mediat sociale çirren në shumë mënyra se një njeri pa dije e pa kulturë, i diplomuar me pagesë, vlen më shumë se një i ditur kokulur, i lënë mënjanë. Duhet kurajë për të pyetur: për cilin vallë vlen më shumë kjo?

Është shumë e vështirë të mos përkulesh përpara të fuqishmëve, kurse nga ana tjetër është shumë e leverdishme t’i mashtrosh të dobëtit, – thotë Breht. Të mos u pëlqesh padronëve, do të thotë të hysh në radhën e të shpronësuarve. Të heqësh dorë nga paga për një punë që ke bërë, është gati njëlloj si të kesh hequr dorë nga vetë puna, ndërsa të refuzosh lavdinë që të ofrojnë të fuqishmit e kësaj bote, shpeshherë është njësoj si të heqësh dorë nga çdo lavdi për sa kohë që je gjallë. Në këtë trishtim, mes kaq e aq shembujsh bombastikë, nuk po shohim e hasim refuzuesit e ofiqeve, pasi tumbetohemi vetëm nga pseudot.

Këtu lind nevoja e heroit të munguar e të parë. Cili është heroi im; cili është yti? Zoti na ruajt e ai qoftë me ne. Zoti na i dhashtë shqiptarët e mi!

You May Also Like

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

4 + 6 =